Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Maliqit, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë banesën e familjes Hazisllari, duke shkaktuar dy viktima dhe një fëmijë në gjendje kritike.
Të ndjerët janë Luka Hazisllari, 14 vjeç, dhe nëna e tij, Mejreme Hazisllari, të cilët humbën jetën nga asfiksia dhe plagët e marra në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare e familjes, Nefeli Hazisllari, ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Burime për mediat nga spitali bëjnë me dije se e mitura, e diagnostikuar me autizëm, ka pësuar djegie të rënda në gjymtyrë dhe ndodhet në reanimacion. Aktualisht ajo është e intubuar dhe ekziston rreziku i amputimit të duarve dhe këmbëve, për shkak të dëmtimeve ekstreme që ka pësuar trupi i saj.
Të dy fëmijët ishin të diagnostikuar me sindromën e autizmit, ndërsa familja Hazisllari jetonte në kushte të vështira ekonomike.