Një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në Santa Vittoria d’Alba (Cuneo), ku trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar u gjet në një parcelë toke pasditen e së premtes.

I riu, që dyshohet të ketë qenë banues në këtë zonë, u gjet pranë një automjeti tip “Lancia Ypsilon” me ngjyrë të zezë, që besohet të ketë qenë në pronësi të tij.

Një drejtues mjeti që kalonte rastësisht në zonë e ka vënë re trupin dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.

Në këtë moment, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e vdekjes, por dyshohet se 25-vjeçari ka humbur jetën nga një plumb në kokë.

Arma e krimit nuk është gjetur në vendngjarje, duke ngritur dyshime për një vrasje.

Gjithashtu, trupi është gjetur i mbuluar pjesërisht me rërë, çka shton misterin rreth ngjarjes. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes janë në zhvillim e sipër.