Një ngjarje e rëndë është zbuluar në fshatin Fushë Mamurras, në Kurbin, ku një 57-vjeçare dyshohet se ka vrarë nënën e saj 85-vjeçare me thikë, dhe më pas e ka raportuar si vdekje natyrale.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur më 30 prill 2026 dhe nuk ishte raportuar në organet ligjzbatuese në momentin e vdekjes së të moshuarës. Hetimet nisën pas dyshimeve të ngritura në rrugë operative, duke çuar në verifikime të mëtejshme nga një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë.

Nga hetimet rezulton se viktima, shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë, ndërsa si autore e dyshuar është vajza e saj, shtetasja V. Sh., 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë dhe dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Policia ka bërë ndalimin e 57-vjeçares për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa është sekuestruar edhe mjeti prerës i dyshuar si arma e krimit.

Gjithashtu, materialet janë referuar në gjendje të lirë për një mjeke, e cila dyshohet për “Shpërdorim detyre”, pasi ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar si natyrale dhe nuk ka njoftuar autoritetet përkatëse.