Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Austri, ku një shqiptare ka humbur jetën. Raportohet se 24-vjeçarja Abigel Laçi dyshohet se është vrarë nga vëllai i partnerit të saj, në qytetin Graz. Sipas raportimeve paraprake, e reja dyshohet se është goditur për vdekje me çekiç. Policia austriake ka mbërritur në banesë, ku ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete, teksa ka arrestuar 23-vjeçarin e dyshuar si autor. Vëllai i partnerit të Abigelit dyshohet se ka hyrë në banesë dhe më pas ka sulmuar 24-vjeçaren.

Trupi i viktimës i është nënshtruar autopsisë, ndërsa autoritetet austriake vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin e vrasjes. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të krimit, ndërsa pritet që ekspertiza mjekoligjore dhe provat e mbledhura në vendngjarje të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të rastit.