Dy ngjarje të rënda janë regjistruar gjatë natës në qarkun e Lezhës, nga ku fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Raportohet se fillimisht, në Shënkoll një sasi e dyshuar lënde plasëse shpërtheu në portën e banesës së shtetasit Mark Deda, 73 vjeç, ndërsa më pas në Laç, shtetasi Sierdi Kolziu, 28 vjeç, denoncoi se ndaj tij ishte qëlluar me armë zjarri. Policia ka nisur hetimet për të dyja rastet dhe po punon për të zbardhur të gjitha detajet.
“Lezhë/ Rreth orës 04:00, në fshatin Shënkoll, në portën e murit rrethues të banesës së shtetasit M. D., 73 vjeç, ka shpërthyer, dyshohet, një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Kurbin/ Rreth orës 23:55, në Laç, shtetasi S. K., 28 vjeç, banues në Laç, ka kallëzuar se, duke lëvizur në këmbë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, pa shkaktuar dëmtime.
Grupet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rasteve, identifikimin e kapjen e autorit/autorëve“, thuhet në njoftimin e policisë.
