Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Holandë, ku një vajzë 15-vjeçare është arrestuar nën dyshimin se ka vrarë me thikë të dy prindërit e saj në banesën e familjes në Groningen.
Sipas mediave holandeze, viktimat janë një burrë dhe një grua, të dy 53 vjeç, të cilët u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre të enjten e kaluar, me plagë të shumta të shkaktuara nga një mjet prerës. Raportohet se pas krimit, adoleshentja ka fotografuar skenën dhe ua ka dërguar imazhet shokëve dhe shoqeve të klasës përmes një aplikacioni komunikimi. Mediat vendase shkruajnë gjithashtu se 15-vjeçarja ka sulmuar edhe qenin e familjes, një Golden Retriever, i cili ka mbetur i plagosur. Gjendja e kafshës nuk është bërë ende e ditur.
Autoritetet holandeze po hetojnë rrethanat dhe motivet e ngjarjes, ndërsa e mitura mbahet në paraburgim. Sipas disa raportimeve lokale, ajo dyshohet se vetëidentifikohej si qen, megjithatë policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion dhe nuk ka dhënë detaje mbi gjendjen e saj psikologjike apo motivet e mundshme të krimit. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
