Kukës
Pavarësisht pretendimeve të avokates, këtë herë gjykata vendosi “arrest me burg”
Gjykata e Kukësit ka lënë në burg Ardian Trotën, 44-vjeçarin nga Kukësi ndaj të cilit u bë atentat në qytetin e Durrësit të shtunën e 19 janarit, dhe ndaj të cilit ishte në fuqi një vendim gjykate për arrest shtëpie ndaj tij. Në seancën e zhvilluar dje, gjykata ka vendosur të lërë në burg Trotën, pasi kishte shkelur masën e arrestit me më 12 janar. Sipas avokates mbrojtëse, Aurora Guska, kjo masë do të ankimohet, pasi i akuzuari Trota, që i shpëtoi mëngjesin e së shtunës atentatit me shpërthim të telekomanduar, ka shkuar në qytetin e Durrësit për të vizituar fëmijët e tij, pasi ata kanë qenë shumë të sëmurë. Për këtë, ajo i ka paraqitur Gjykatës edhe raportet mjekësore nga mjekët e spitalit. Masa e sigurisë, “arrest shtëpie”, e dhënë pak kohe me parë nga Gjykata e Kukësit, sipas avokates Guska nuk ka qenë e drejtë, pasi për akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike, ajo nuk qëndron, ajo e mbajtjes së 4 fishekëve është kundërvajtje penale. Ndërkohë për veprën penale të dhunës në familje, avokatja thotë se tashmë marrëdhëniet me bashkëshorten janë normalizuar, gjë që faktohet me një deklaratë noteriale të bërë nga gruaja e Trotës. Në emër të klientit të saj, avokatja Guska thotë se familjarët e Trotës ndihen të terrorizuar, duke qenë se asnjë nga 3 atentatet e bëra ndaj familjarit të tyre ende nuk janë zbardhur. Ardian Trotës iu bë një atentat në qytetin e Durrësit, në automjetin e tij, ndërkohë që ende policia e prokuroria nuk kanë mundur të zbardhin shkaqet apo autorët e këtij akti. Por, pavarësisht pretendimeve të Guskës, prokuroria dhe gjykata, këtë herë nuk kanë qenë dakord për lirimin e Trotës. Pas provave të paraqitura nga prokuroria, gjykata ka vendosur “burg pa afat” për 44-vjeçarin. Atentati i fundit ndaj Trotës ndodhi paraditen e së shtunës kur udhëtonte me mjetin e tij “Benz” me targa AA 765 FN, në një rrugë dytësore në zonën e quajtur Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë, Trota ka një banesë në këtë zonë dhe sapo kishte dalë prej saj, kur edhe makina ka shpërthyer në ecje e sipër. Një sasi e konsiderueshme tritoli ka shkrumbuar “Benz”-in, por që fatmirësisht 44-vjeçari ka shpëtuar për mrekulli, me disa plagë që nuk i rrezikojnë jetën. Burime nga Spitali i Durrësit thanë atë ditë se Trota ka pësuar dy djegie në këmbë dhe qafë. Në qershor të vitit 2013, në lokalin e tij që ndodhet në rrugën Kukës-Morinë, dy persona me motor qëlluan me breshëri kallashnikovi kur 45-vjeçari ndodhej bashkë me dy persona të tjerë në ambientet e lokalit. Ai në atë kohë u plagos rëndë, por arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga breshëria e armës automatike. Grupi hetimor në atë periudhë tha se dy persona me motor shkuan pranë lokalit dhe kërkuan të bisedojnë me pronarin Ardian Trota e më pas e kanë plagosur me katër plumba, ndërkohë që dy të tjerët janë plagosur gabimisht. Rasti i Ardian Trotës u përmend edhe nga ministri Tahiri, gjatë një letre drejtuar Presidentit të Republikës, ku denonconte vendimet e gjykatës.
