Pas kritikave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj tij dhe liderëve europianë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpërndarë një mesazh në X duke falënderuar udhëheqësit europianë për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës.

Zelensky tha se pati një bisedë të përbashkët me kryeministrat e Kroacisë dhe Luksemburgut, duke i informuar për “punën tonë diplomatike mbi propozimin amerikan dhe takimet në Gjenevë”. Ai theksoi se pret një rezultat që do të hapë rrugën për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Në të njëjtën kohë, Zelensky shprehu mirënjohje për çdo udhëheqës dhe për të gjithë në botë që mbështesin Ukrainën dhe parimet që ata mbrojnë.

Ndërsa bisedimet mbi planin 28-pikësh të SHBA-së për Ukrainën vazhdojnë në Gjenevë, Trump sulmoi Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit europianë në Truth Social, duke shkruar se nuk ka marrë asnjë mirënjohje për përpjekjet e SHBA-së dhe duke kritikuar Evropën për blerjen e naftës nga Rusia.