Pas bisedës telefonike me presidentin rus Vladimir Putin gjatë samitit me liderët europianë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë edhe me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, duke e nxitur atë të heqë çdo pengesë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian.
Sipas raportimeve ne media, gjatë bisedës, Hungaria shprehu gatishmërinë për të pritur negociatat e ardhshme mes Moskës dhe Kievit. Megjithatë, Orbán reagoi publikisht në Facebook pas kërkesës së Trump.
“Anëtarësimi i Ukrainës në BE nuk ofron asnjë garanci sigurie. Prandaj, lidhja e anëtarësimit me garancitë e sigurisë është e padobishme dhe e rrezikshme”, shkroi kryeministri hungarez.
Ndërkohë, Trump u shpreh “optimist” për negociatat mbi armëpushimin, por pranoi se “kishte menduar se do të ishte më e lehtë”. Për rolin e Europës në sigurinë e kontinentit, presidenti amerikan nënvizoi se shtetet e BE-së “janë të afta të mbrojnë Ukrainën”.


