Trupi i djegur që u gjet brenda një automjeti në Qafën e Llogarasë i përket ish-efektivit të policisë, Artjon Xhelo.
32-vjeçari dyshohet se vuante nga probleme psikologjike.

Ai ka punuar te Forcat Shqiponja në Berat dhe Policia e Poliçanit. Mbeten ende të paqarta rrethanat e ngjarjes së rëndë, por policia dyshon se ish-efektivi të jetë vetëdjegur. Nuk përjashtohet as pista e vrasjes. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të pajetë, e cila pritet të zbardhë më shumë detaje për shkakun e vdekjes dhe dinamikën e ngjarjes.

Viktima u gjet në sediljen e shoferit të makinës, e cila ishte e parkuar në një zonë të pyllëzuar. Artjon Xhelo, prej disa vitesh, ka punuar në Forcat Operacionale “Shqiponjat”. Sipas burimeve, ai kishte shfaqur probleme psikologjike dhe për këtë arsye, në vitin 2023, u transferua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Poliçanit.

Më pas, ndaj tij u vendos masë disiplinore dhe u përjashtua nga radhët e policisë, pasi i kishte humbur arma e shërbimit. Policia dyshon se Artjon Xhelo është vetëvrarë, por nuk përjashtohet as pista e vrasjes. Sipas policisë, ai dyshohet se i ka vënë vetë flakën makinës, ku edhe është djegur brenda saj.

Rrethanat e ngjarjes janë të paqarta, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë. Autoritetet policore kanë nisur hetime të thelluara, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes dhe dinamikën e ngjarjes.