Mirel Çokaj është vrarë nga ortaku i parcelës me bimë narkotike kanabis, në Malësinë e Madhe.
Këto janë dyshimet e motrës së viktimës, Mirjana Çokaj, e cila sot ishte në Prokurorinë e Shkodrës lidhur me hetimet mbi vdekjen e të vëllait, Mirel Çokaj, më 18 shtator të këtij viti në Malet e Kelmendit.
Pas daljes nga prokuroria, ajo tha për median se gjithçka lidhet me një parcelë me drogë të zbuluar në Malësinë e Madhe, duke hedhur dyshime të forta ndaj ortakut të vëllait, Gëzim Preldalkaj, i cili ishte personi që njoftoi për gjetjen e trupit.
“Jam Mirjana Çokaj. Sa dola nga prokuroria, në lidhje me vdekjen e vëllait tim, Mirel Çokaj, që u gjet i vdekur në Malet e Kelmendit. Policia tha se është aksidentale, ndërsa unë dyshoj se ai është vrarë për parcelat me drogë. Ai dyshohet se është vrarë për një parcelë me drogë që u gjet në Malësinë e Madhe. Në atë parcelë janë gjetur 980 rrënjë drogë. Policia e Shtetit e ka asgjësuar. Vitet e fundit vëllai im është marrë me drogë. Ai ka qenë i dënuar për kultivim kanabis. Unë kur u përballa me ortakun, se nuk mundesha të ecja rrugës më. Ai eci përpara meje dhe e gjeti vëllanë rrugës. Gëzim Preldalkaj tha se vëllai im kishte rënë në humnerë dhe se kishte vdekur. Ai tha se telefonin e kishte dëgjuar dhe se kishte rënë dhe zilja. Ai tha se nuk e kishte prekur me dorë telefonin, por celulari nuk u gjet. Dua të di se ku e dinte ai se ku kishte vdekur vëllai im. Dua që ta zgjidh çështjen e vëllait tim se dyshoj se dikush nga ortakët e tij ka dorë në vrasjen e vëllait. Nga telefonatat që mund të ketë bërë, do ketë thirrur furgonin. Dyshoj se vëllai ka ndryshuar rrugën. Dyshoj te ortaku i vetë. Vëllai se ka pasur që të kthehet atë ditë, por u kthye dy ditë më parë. Ai devijoi rrugën dhe shkoi te ai shteg. Vëllai im ose është shtyrë, ose dikush i ka rënë nga pas. Dua që të zgjidhet çështja e vëllait tim”,- është shprehur ajo për mediat.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi më 18 shtator të këtij viti kur policia mori njoftimin se një person ishte rrëzuar në fshatin Kozhnje të Malësisë së Madhe. Në orët e pasdites fillimisht përmes dronit, efektivët konfimuan se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Mirel Çokaj. 24 orë pas njoftimit u bë e mundur nxjerrja e viktimës nga humnera përmes një helikopteri të Forcave të Ushtrisë të cilët erdhën dhe nxorën trupin e pajetë.
Dyshimet e të afërmve lidhen me një vrasje të mundshme pasi sipas tyre Mirel Çokaj para se të humbte jetën ndodhej në një parcelë droge rreth një orë larg vendit ku u gjet. Sipas familjarëve 40 vjeçari parcelën e drogës e kishte bashkë me disa ortakë të tjerë dhe dyshojnë se njëri prej tyre të paktën mund ta ketë shtyrë shtetasin Mirel Çokaj drejt humnerës me qëllim për të mos i dhënë pjesën e fitimit që i takonte nga ky biznes i paligjshëm.
Kanabisi i kultivuar atje ishte gati për t’u korrur dhe për t’u bërë gati për treg dhe pikërisht në këto momente Çokaj u gjet i pajetë në humnerë. Të afërmit shtuan dyshimet edhe për faktin se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur ende dhe mendojnë se personi që e ka shtyrë ka zhdukur edhe celularin dikund në humnerë duke e bërë të pamundur që të gjendet më.
Po ashtu viktima sipas familjarëve kishte për t’u kthyer dy ditë më vonë dhe jo atë ditë që u largua dhe se kthimin e ka bërë në një shteg tjetër të ndryshëm nga rruga që bënte zakonisht për tek parcela e drogës. Këto dhe të tjera dyshime që familja kanë çojnë sipas tyre tek një vrasje e mundshme dhe jo një rrëzim aksidental.
Në vendin ku ishte parcela e drogës, menjëherë pas ngjarjes policia ka gjetur atje 780 bimë kanabis sativa duke bërë asgjesimin e tyre, gjë e cila vërteton se viktima para se të rrëzohej ka qenë duke ruajtur parcelën e drogës, ruajtje që zakonisht në këto raste nuk mund ta bëjë një person i vetëm dhe sipas të afërmve duhet të ketë qenë edhe me një person tjetër kur janë larguar.
Tashmë prokuroria ka hapur hetimet dhe po merr në pyetje familjarët, të afërm, të dyshuarit që familja ka dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni rreth kësaj ngjarje nëse vërtetë kemi të bëjmë me një vrasje të Mirel Çokaj siç pretendohet.