Një ngjarje e pazakontë është shënuar gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një person ka humbur jetën në rrethana të pazakonta, teksa dyshohet se kishte tentuar të kryente një vjedhje.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, një burrë rreth të 40-ave dhe ende i paidentifikuar, ka tentuar të futet në një banesë duke thyer xhamin e dritares. Ai dyshohet se është ngjitur me ndihmën e një stoli, por gjatë përpjekjes për të hyrë, ka humbur ekuilibrin pasi stoli i ka rrëshqitur nga këmbët.
Për pasojë, gjysma e trupit i ka mbetur e bllokuar në dritare, duke mbetur i varur për orë të tëra gjatë natës, çka dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen.
Trupi i pajetë është konstatuar në orët e mëngjesit nga një fqinj, i cili kujdesej për banesën në mungesë të pronarit.
Sipas Nikollaq Lules, vëllai i pronarit të banesës, shtëpia trekatëshe i përket Uan Lules, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij. Ai shton se fqinjët kanë njoftuar menjëherë policinë sapo kanë konstatuar ngjarjen.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë kryer veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, trupi i viktimës është dërguar në morgun e Fierit, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e tij.
Nikollaq Lule,vëllai i pronarit të banesës shprehet: “Banesa është e vëllait tim, i cili ndodhet në Greqi prej një muaji. Një fqinj që kujdeset për shtëpinë e ka gjetur në dritare dhe ka njoftuar policinë.”
Trupi i varur për orë të tëra gjatë natës në dritare/ Si përfundoi tragjikisht tentativa për vjedhje e 40-vjeçarit në Fier, flet vëllai i pronarit të banesës
