Një shkëndijë elektrike është një nga pistat kryesore që po hetohet për zjarrin fatal në fshatin Fermë Çlirim të Fierit, ku humbi jetën një 71-vjeçar.
Banesa ku i moshuari jetonte i vetëm u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua pothuajse tërësisht. Pas shuarjes së zjarrit, brenda saj u gjet trupi i karbonizuar i 71-vjeçarit.
Shkaku i saktë i ngjarjes ende nuk është përcaktuar. Sipas burimeve pranë Komisariatit të Fierit, në shtëpi nuk kishte bombol gazi, çka ka bërë që hetuesit të përqendrohen te mundësia e një defekti apo shkëndije në rrjetin elektrik.
Puna e ekspertëve vështirësohet edhe nga dëmet e mëdha të shkaktuara nga flakët. Instalimet elektrike dhe pajisjet elektroshtëpiake janë djegur plotësisht, duke lënë pak elemente që mund të ndihmojnë në përcaktimin e origjinës së zjarrit.
Grupi hetimor po vijon këqyrjen e banesës dhe ka marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës. Ata kanë treguar se në shtëpi përdoreshin pajisje elektrike të vjetra, një element që po merret në konsideratë gjatë hetimeve.
71-vjeçari jetonte prej vitesh i vetëm në Fermë Çlirim. Ai ishte baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, të cilët jetojnë në Vlorë.
