Fiter Bajrami


Restorantet hapin dyert. Shqiptarët supersticiozë zgjedhin shtëpinë


Shpresa Mezini


Në çdo familje shqiptare, pazari për drekën e madhe të Fiter Bajramit bëhet të paktën një ditë përpara festimit të saj.


Kjo ditë e shënuar ka për qëllim që tryeza të jetë e mbushur plot me shpresën se vit pas viti ushqimi nuk do të mungojë, por do të shtohet, çka na kujton shprehjen e thënë pas përfundimit të çdo vakti: Zoti e shtoftë! Shumë familje myslimane në vend e festojnë festën e Bajramit më shumë se atë të natës së madhe të ndërrimit të viteve, tradicionalisht e festuar nga të gjithë ne. Pasi respektojnë ritet e besimit mysliman gjatë gjithë muajit të Ramazanit, festa e Fiter Bajramit për besimtarët vazhdon të festohet me drekën tradicionale, ku në tryeza nuk duhet të mungojë asgjë. Kadrija, kryefamiljare, besimtare myslimane, tregon se dikur në tryezë nuk mungonte semsa-ja, gatim i të parëve që e kanë festuar këtë festë.


“Është një lloj bakllavaje, që ngjan me këtë të sotmen, por atëherë bëhej vetëm me peta dhe sheqer. Por sot, besimtarët myslimanë gatuajnë edhe ëmbëlsira të tjera, të cilat përdoren tradicionalisht edhe për festa të tjera, siç është kadaifi, sheqerparja apo bakllavaja. Përveç ëmbëlsirës, gatuhet mishi i qengjit, simboli i tryezës në këtë ditë festive, ndërsa nuk përjashtohen edhe llojet e tjera të mishit, si ai i viçit apo i dhisë, të cilat duhet të jenë të pjekura mirë (jo me gjak).



Si zonja tregojnë edhe shumë familjarë të tjerë. Tryeza e festës së Bajramit mbushet plot e përplot. Sallata të ndryshme, mishi i qengjit zakonisht i shoqëruar me tavë kosi, patate, pilaf, byreku me peta të pjekura, ëmbëlsirat dhe frutat janë produktet që renditen të parat në shtëpinë e çdo shqiptari, por edhe në menytë e restoranteve.


Në këtë ditë feste, ajo që vërehet është se edhe restorantet, nga më të thjeshtat te më luksozet operojnë me receta dhe meny tradicionale, për t’iu afruar preferencave të klientëve. E megjithatë prenotimet në restorante në ditë si këto janë të pakta në numër. Kjo për shkak se shqiptarët pohojnë se dreka e Bajramit festohet në ambientet e shtëpisë, me personat e ngushtë familjarë. Madje shumë prej tyre, ata më supersticiozët, e konsiderojnë si shenjë të keqe, që do të ndikonte në mbarësinë dhe begatinë e familjes së tyre për një vit me radhë.


Festa


Festa e Fiter Bajramit gëzoi të madh e të vogël. Ajo është e shenjtë për kuptimin që mbart dhe ofron tek të gjithë besimtarët myslimanë, por jo vetëm. Paqe, harmoni, mirëkuptim dhe më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit! Ky është urimi që dëgjoje dje kudo, në çdo cep, po sidomos në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku rreth orës 6:30 të mëngjesit, u mblodhën me qindra besimtarë për të kryer ceremoninë fetare të ritit islamik. Të rinj e të reja, të moshuar e të moshuara, por ajo që binte në sy ishte edhe prezenca e të vegjëlve, që i dha më shumë hijeshi kësaj feste të madhërishme, siç e cilësojnë vetë myslimanët.


Në ditën e Bajramit, siç ndodh për çdo vit, edhe sivjet gëzuan edhe të varfrit e lypsarët, pasi në këtë ditë besimtarët shqiptarë tregohen më bamirës së në ditët e tjera të vitit dhe kanë prirje për të dhuruar sa më shumë, qoftë ushqime apo veshmbathje. Ndjenja e sakrificës, e dhimbjes, e ndarjes dhe e ndihmës për ata që jeta i ka lënë të përbuzur është ndjenja që dominon mbi besimtarët kudo, në mbarë botën. Kjo ishte pamja e jashtme që ofronin dje rrugët e kryeqytetit. Njerëz që luteshin, të tjerë që uronin, disa me para e ushqime në duar për të mbushur sadopak tryezat e fatkëqijve, atyre që nuk kanë para të shtrojnë as drekën e Bajramit. Pas përfundimit të lutjes në orët e para të mëngjesit të djeshëm, disa besimtarë marshuan drejt xhamisë në qendër të Tiranës. Burra e gra, të rinj e të reja vizituan xhaminë për të disatën herë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili përfundoi një ditë përpara festës së Fiter Bajramit.