Babai i të ndjerit Martin Cani, Engjëll Cani, i është bashkuar protestës kundër projektit turistik në Zvërnec, ndërsa qytetarët kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej” përpara marshimit drejt Kryeministrisë.

Me flamuj dhe pankarta në duar, protestuesit po mblidhen në qendër të Tiranës për të vijuar kundërshtimin e tyre ndaj investimit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Gjatë grumbullimit, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për një reagim paqësor, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës.

“Reagim paqësor. Mirëpresim të gjithë ata që janë braktisur nga PS dhe PD”, u dëgjua të thuhej gjatë tubimit.

Kjo është protesta e radhës kundër projektit në Zvërnec, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në zonën e mbrojtur dhe më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura për realizimin e investimit.