Policia italiane ka publikuar pamjet e operacionit të përbashkët antidrogë “Ura”, të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Operacioni i gjerë ndërkombëtar ka rezultuar me 52 masa arresti dhe sekuestrime pasurish me vlerë miliona euro.

Në videot e shpërndara nga autoritetet italiane shfaqen çanta të mbushura me para në euro, pako me lëndë narkotike (kryesisht kokainë), si dhe pamje nga sallat operative të ndjekjes dhe kontrollit gjatë fazës hetimore. Filmimet tregojnë qartë shkallën e organizimit të rrjetit kriminal dhe mënyrën e operimit të tij në të dy vendet.

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në disa qytete të Italisë dhe në disa zona të Shqipërisë, ku janë ndërhyrë bazuar në urdhër-arreste të lëshuara nga SPAK. Mes personave që janë përfshirë në hetime rezulton edhe një ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Hetimet kanë zbuluar një rrjet të mirëorganizuar që merrej me trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe veprimtari të tjera kriminale. Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional si kyç për goditjen e kësaj strukture kriminale që vepronte prej kohësh në të dy vendet.