Kryeministri Edi Rama ka folur në Opinion lidhur me rastin e Maqellarës ku një makinë me dy persona u ndalua nga mbështetësit e PD-së.

U raportua se dy personat kishin një tufë të madhe parash në dorë dhe listat me emrat e qytetarëve të Maqellarës.

Rama hodhi sërish akuzat ndaj PD-së duke  thënë se njerëzit e tyre i kanë duart me gjak, pasi kanë miratuar një strukturë të armatosur.

“Ajo që dimë është që ka një strukturë të armatosur, të pranuar nga drejtuesit e PD, që kanë vrarë një njeri, kanë plagosur një efektiv policie, me pretendimin që po mbrojnë votën. Kjo skenë është një tjetër arsye pse shqiptarët duhet të votojnë masivisht për Partinë Socialiste.

Kjo është një skenë e tmerrshme. Një skenë si ajo e Elbasanit, por që nuk ka viktima. U kapën me presh në duar? Preshin e sqaron policia, jo këta që po mbajnë peng vendin. Këto janë skena që Shqipëria i ka parë shumë kohë më parë dhe po rikthehen nga e njëjta forcë, PD-ja. Akuzat që ngrihen janë pjesë e të njëjtës strategji që vazhdon për të ndotur maksimalisht procesin dhe PS-në, ndërkohë që ata që i bëjnë akuzat sot i kanë duart me gjak,” tha Rama.