Në tunelin e Murrizit, me gjatësi prej rreth 3.8 kilometrash, është ndërprerë energjia elektrike, duke krijuar një situatë të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë aks rrugor. Errësira totale brenda tunelit është një shqetësim i menjëhershëm, por edhe më problematike është mospastrimi i ajrit.

Për shkak të ndërprerjes së energjisë, ventilatorët që mbajnë në funksion sistemin e filtrimit dhe largimit të gazeve dhe tymit të prodhuar nga automjetet nuk punojnë. Kjo ka çuar në akumulimin e ndotjes brenda tunelit duke përkeqësuar kushtet e sigurisë gjatë qarkullimit.

Drejtuesit e mjeteve janë të këshilluar të jenë tepër të kujdesshëm kur kalojnë në këtë segment, duke marrë parasysh vështirësitë që mund të krijohen nga errësira dhe ajri i ndotur. Autoritetet po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji dhe për të siguruar funksionimin e sistemeve të ventilimit për të garantuar kushte të sigurta për kalimtarët.