Opozita laike kërkon shpërbërjen e Asamblesë Kushtetuese dhe refuzon ofertat për kompromis


protestat tuniziUshtria e Tunizisë ndërhyri për të bllokuar trafikun në një shesh ku protestuesit rivalë u përplasën me njëri-tjetrin në kryeqytetin Tuniz të hënën, duke e deklaruar atë një “zonë ushtarake të mbyllur” në përpjekje për të ndaluar dhunën.


Tensioni është rritur, për shkak të përpjekjeve të opozitës për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga islamikët pas vrasjes javën e kaluar nga një politikan i majtë, e dyta vrasje e tillë politike në gjashtë muaj. Pasi protestuesit u përplasën mëngjesin e djeshëm në sheshin “Bardo” në qendër të qytetit, ku ka selinë edhe Asambleja Kushtetuese e Tunizisë, ushtria ndaloi hyrjet e njerëzve në zonë duke ngritur një barrierë me tela me gjemba.


Në një qytet në jug, protestuesit u përpoqën të pushtojnë zyrat e bashkisë dhe të ndalonin punonjësit të hynin në zyra, gjë që shkaktoi përleshje me mbështetësit e Partisë islamike Ennahda, e cila udhëheq qeverinë e tranzicionit.


Ushtria ndërhyri për të mbrojtur zyrtarët dhe policia përdori gazin lotsjellës, ndërsa banorët thanë se mijëra demonstrues vijuan të mblidhen në sheshin kryesor të qytetit Sidi Bouzid, djepi i revoltës që përmbysi presidentin Zine al-Abidine Ben Ali në 2011-n dhe që shënoi pikën e kthesës në Pranverën Arabe.


“Tashmë shumë protestues që po vijnë mbajnë shkopinj dhe duket sikur situata do të përshkallëzohet, për shkak se të dyja palët po qëndrojnë të palëkundura”, tha një banor për agjencinë “Reuters”.


Tunizianët kanë frikë se mund të zhyten në një nga krizat më të thella të tranzicionit të tyre politik që kur përzunë Ben Alinë. Udhëheqësit e opozitës thanë se mund të krijojnë një “qeveri shpëtimi” rivale, një ide që po e diskutojnë aktualisht.


Opozita laike, e cila duket e frymëzuar nga përmbysja e presidentit islamik Morsi nga ushtria e Egjiptit në fillim të muajit, tani po refuzon çdo lloj kompromisi të ofruar nga qeveria.


Rebelimi filloi pak javë para se Asambleja Kushtetuese të plotësojë projektin për një kushtetutë të re. Opozita tashmë kërkon që asambleja të shpërndahet. Shtatëdhjetë ligjvënës që janë larguar në shenjë proteste kanë ndërtuar një kamp proteste (sit-in) jashtë asamblesë, në sheshin “Bardo” të kryeqytetit Tuniz.


Franca bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe tha se ishte e shqetësuar nga ngjarjet në Tunizi, ku dikur ka qenë fuqia koloniale. Ajo u kërkoi autoriteteve të sigurojnë një tranzicion drejt demokracisë.


“Franca mbështet procesin e tranzicionit në mënyrë solidare me të gjithë popullin e Tunizisë”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë. “Ajo nxit autoritetet e Tunizisë të çojnë në fund tranzicionin në frymën e dialogut dhe respektit.”


Tunizia ka edhe sindikata shumë të fuqishme, të cilat po organizojnë greva. Të premten ato paralizuan vendin në shenjë zie ndaj vrasjes së politikanit të së majtës, Mohamed Brahmi.


Qeveria thotë se vrasësit e Brahmit përdorën të njëjtën armë që vrau edhe udhëheqësin tjetër laik, Chokri Belaid më 6 shkurt. Kritikët thonë se qeveria nuk ka kryer hetimin e duhur apo nuk ka penguar sulme të tjera. Ajo ka akuzuar si përgjegjës militantët salafistë të vijës së ashpër.