Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi ndaj një pjese të fjalimit të Sali Berishës nga takimi i tij elektoral në Gramsh. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka përdorur një fabul popullore për të goditur kundërshtarin e tij politik, duke e quajtur “Bababufi”.

Në fabulën që ndau, një baba u ndan detyrat tre djemve të tij, duke i kërkuar më të voglit të kujdeset për të, “që mos e qeshin dynjaja kur të fillojë me lajthitë”. Duke e lidhur këtë me Berishën, Rama shkruan se ai ka humbur kontrollin dhe se ndjekësit e tij “trushpëlarë” e ndjekin me tendë nëpër Shqipëri.

“Demokratëve të thjeshtë u ka mbetur ta bëjnë detyrën e atij djalit të vogël të fabulës, duke mos e votuar më. Sepse një votë për të nuk është thjesht e hedhur kot, por edhe një mëkat për vendin”, shkruan Rama, duke shtuar se për një Shqipëri që kërkon të anëtarësohet në BE, është turp të ketë “një kënetë në mes të Parlamentit”.