Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës në lidhje me takimin që zhvilloi në Lezhë, se njerëzit ia mblodhi kryebashkiaku socialist Pjerin Ndreu.

Salianji i cilësoi deklaratat e Berishës si një ‘turp i madh’, që sipas tij nuk vinin prej arsyes, por prej frikës nga humbja e privilegjeve të pushtetit të opozitës. Salianji shtoi se do të vijojë të qëndrojë në PD dhe do të përpiqet për ta ndryshuar këtë parti, teksa theksoi se termi ‘vetëpërjashtim’ që përmend Berisha, nuk ekziston.

“Ju flet frika, jo arsyeja. Këtu janë demokratë dhe është turp i madh që të akuzosh demokratët që duan ndryshim se i organizon një kryetar bashkie me të cilin unë jam përplasur, kam reaguar fort dhe e kam akuzuar për të gjitha zullumet që ka bërë. Takimi organizohet nga demokratë, e patë që ishte takim masiv, e patë që thirrja e demokratëve ishte për ndryshim dhe për ta bërë PD-në fituese. Kështu që të fokusohemi tek idetë dhe jo te budallallëqet që vijnë për shkak të frikës dhe jo të arsyes. Nuk ka vetë-përjashtim në PD, nuk njihet si koncept. Unë do të jem në PD dhe do ta ndryshoj PD-në deri në fund.”- tha ai