Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione, teksa po diskutohej për rezolutën në dënim të gjenocidit serb në Kosovë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përplasur verbalisht me deputetin socialist Ardit Bido, duke e akuzuar këtë të fundit se i shtrembëroi qëllimisht deklaratat e tij.

“Ke shtrembëruar fjalën time për gjenocidin serb në Kosovë,” iu drejtua Berisha, duke e akuzuar Bido-n për manipulim të qëndrimeve dhe devijim të debatit nga thelbi i çështjes.

Debati

Sali Berisha: Edhe shqiptarët po të kishin kryer krime e gjenocid kundër serbëve, kundër maqedonasve, unë do ta dënoja.

Ardit Bido: Po dëgjojmë në seancën e sotme që liderët e UÇK që janë në një proces gjyqësor të padrejtë, qenkan të akuzuar për gjenocid ndaj Serbisë. Po dëgjojmë një akuzë të re që nuk e kanë bërë as serbët vetë.

Niko Peleshi: Nëse keni gjë për procedurë vazhdoni, në të kundërt do vijojmë me deputetët e tjerë.

Sali Berisha: Deputeti që vjen gjoja nga studimi, bëri atë që nuk mund ta bëjë kurrë një njeri. Turp të kesh Ardit Bido, turp të të vij, falsifikator.  Edhe shqiptarët po të kishin kryer krime e genocid kundër serbëve, kundër maqedonasve, unë do ta dënoja. Nuk thashë kurrë se ka ndodhur. Duhet të kesh fytyrën tëndë që të transformosh brenda një minute deklaratën e tjetrit, e bën vetëm ti. Ti qofsh.