Prej katër ditësh tashmë, qytetarët e Vlorës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe për këtë kanë protestuar.  Në “Shqipëria Live”, kanë folur dy prej tyre duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë për sa kohë nuk ka ujë në qytet dhe nuk jepet një zgjidhje përfundimtare.

Ata u shprehën se protesta u shpërnda momentalisht, pasi u bë politike ndërsa e vetmja kërkesë që ata kanë është të kenë furnizim të plotë me ujë të pijshëm.

“I kërkoj falje qyteti të Vlorës për këtë shfaqje të turpshme, që kërkojmë ujë në vitin 2025. Protesta ka nisur mbrëmjen e djeshme pa lidhje politike sepse punonjësit kishin festë ndërsa ne ishim pa ujë. Ata ishin rregulluar, veshur, ndërsa aty binte era djese se 4 ditë pa larë. I gjetëm duke kërcyer. Protesta ka nisur nga emigrantët. Ashtu jam dhe unë. Qytetarët vetë nuk dalin se kanë frikë. Sot u shpërndamë sepse u bë politike. Ne kërkojmë vetëm ujë.

Dje në darkë dolën lajme që ishte drejt rregullimit se u mor vesh që do bëhej protestë pastaj. Erdhi drejtori nga Tirana po atë nuk kemi se çfarë e duam. Ne duam vetëm ujë. Nu ke di nëse do e vazhdojmë protestën, edhe pse duhet të vazhdonte deri në momentin që të vinte uji. Shkojmë mbushim ujë natën sepse ditën është turp. Qyteti i Vlorës nuk ka pikë ujë ndërsa këtë bëjnë mbrëmje gala. Protesta dje nuk ishte e organizuar politikisht. U mblodhën disa djem të rinj, nuk na thirri asnjeri, mësuam që do bënin festë ata tek teatri ‘Petro Marko’.”- tha ai.

“Ne dolëm në protestë për situatën anormale ku jemi, është turp të protestosh për ujë. I tillë është vendi ku jetojmë. Protesta do masivizohet dhe do ketë dhe dhunë. Edhe po erdhi uji sot do vijojë protesta, sepse ka ikur edhe disa muaj më herët, edhe në verë gjatë sezonit turistik. Ne duam zgjidhje të përhershme. Sepse Vlora është turistike është turp të mos ketë ujë. Nuk do vrasim njerëz por situata nuk është normale. Protestat i kemi organizuar ne në disa faqe që janë për qyteti ne Vlorës.”– tha qytetari tjetër.