“Po sillet njësoj si në rastin e luftës në ish-Jugosllavi”, deklaron Erdogan
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për inaktivitet dhe paralizë përballë luftës gjithnjë e më të përgjakshme në Siri, duke thënë se organizimi i superfuqive të botës po përsëriste gabimet që sollën masakrat në Bosnjë në fillim të viteve 1990.
Në terren, forcat e Presidentit Bashar al-Assad përdorën sulmet ajrore dhe artilerinë për të goditur kryengritësit në shumë fronte në konfliktin tashmë 19 muaj, i cili rrezikon të përfshijë në kaos edhe fuqitë rajonale dhe gjendet në një paralizë totale diplomatike.
Turqia, e cila është përfshirë gjithnjë e më shumë në konflikt gjatë kohëve të fundit, po udhëheq thirrjet për të ndërhyrë ushtarakisht dhe ka kërkuar krijimin e një zone për ndalimin e fluturimit, si dhe për monitorim më të fortë të kufijve për të ndaluar furnizimin me armë të forcave qeveritare.
Por aktualisht ka shumë pak gjasa që OKB të mbështesë një aksion të fortë. Kina këmbëngul se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga brenda Sirisë, ndërsa Rusia thotë se ende shumë sirianë mbështesin Assad-in. Kombet perëndimore ndërkohë po përpiqen të ndalojnë një luftë sektare në këtë vend.
“Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ka ndërhyrë në një tragjedi njerëzore që po ndodh në Siri prej 20 muajsh, pavarësisht përpjekjeve tona”, deklaroi Erdogan në një konferencë në Stamboll, ku qenë të pranishëm shumë zyrtarë shtetesh, përfshirë sekretarin e Lidhjes Arabe, Nabil Elaraby. “Kjo është një sjellje që nxit, pasi është praktikisht një drite jeshile për Assad-in të vijojë me vrasjen e qindra njerëzve çdo ditë”, shtoi ai.
Gjakderdhja është përkeqësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, megjithëse asnjëra prej palëve nuk ka arritur të fitojë avantazh. Forcat qeveritare po përdorin artilerinë dhe fuqinë ajrore për të mposhtur rebelët. Luftimet aktualisht janë përqendruar në një zonë në Sirinë Perëndimore, e cila është edhe pjesa më e populluar e Sirisë.
Forcat rebele kanë arritur ndërkohë të vendosin nën kontroll një bazë kundërajrore, gjë që e ka bllokuar komunikimin e një rrugë të rëndësishme veri-jug që lidh Damaskun me Homsin dhe Alepon.
Këshilli i Sigurisë së OKB-së është ndarë mes fuqive perëndimore dhe Kinës e Rusisë dhe është bllokuar duke mos marrë asnjë vendim për të ndalur konfliktin që sakaq ka shkaktuar mbi 30 mijë të vdekur. Erdogan thotë se një sistem që lejon një apo dy shtete të bllokojnë ndërhyrjen në një krizë humanitare është thjesht i gabuar dhe se OKB-ja do të njihet në histori si e dështuar në këtë rast, njësoj si në rastin e Bosnjës.
“Sa për të ardhur keq është fakti që Kombet e Bashkuara janë kaq të pafuqishme sot sa qenë edhe 20 vjet më parë kur pamë masakrimin e qindra-mijëra njerëzve në Ballkane, Bosnjë dhe Srebrenicë”, tha Erdogan. Masakra e vitit 1995 qe më e rënda në truallin e Europës që nga Lufta e Dytë Botërore, kur paqeruajtësit holandezë braktisën atë që qe caktuar si zonë e sigurt nga OKB përballë forcave serbe të Bosnjës, të cilët vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë dhe i groposën trupat e tyre në varre të përbashkëta. Zyrtarët e Turqisë thanë se kanë shpresë se do të jenë në gjendje të zbusin qëndrimin e Rusisë, shtet që vitin e kaluar i shiti Sirisë 1 miliard dollarë armatime, dhe se nëse dalin me sukses, edhe Kina mund të ndjekë këtë shembull.
Por marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës ranë në një nivel më të ulët këtë javë pasi Turqia detyroi një aeroplan civil të ulet në territorin e saj dhe akuzoi Rusinë zyrtarisht se po furnizon pajisje ushtarake për forcat e Assad. Rusia tha se në aeroplan nuk kishte armë, por pajisje radarësh, të cilat, sipas saj, janë eksporte të ligjshme.
