Amabsadat e shteteve të huaja kanë reaguar ditën e sotme në lidhje me kaosin e shkatuar në seancën e djeshme parlamentare.

Pas ambasadës britanike, edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë ka theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit.

“Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.

Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”, mbyllet reagimi i ambasadorit gjerman.

Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, u shpreh e shqetësuar për zhvillimet e fundit, duke bërë thirrje për dialog mes palëve.

“Miratimi i buxhetit 2024 mes kaosit, tensioneve dhe tymit të flakadanëve të ndezur nga deputetët e opozitës për 5 minuta, në seancën e së hënës së 20 nëntorit ka ngjallur edhe shqetësim tek Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Ambasada shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë, ku është bërë i pamundur aktiviteti normal i organit ligjvënës i vendit. Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”- thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Deputetë të opozitës, kanë zgjedhur bllokimin e seancave të parlamentit por dhe pengimin e punës së komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj “shkeljes së të drejtave të kushtetuese” përmes mohimit të ngritjes së disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë, si dhe ndaj përpjekjeve të shumicës sipas saj “për të ndikuar emërimet e përfaqësuesve të opozitës”, duke ju referuar përfaqësuesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore.

Shumica nga ana e saj, i është mbajtur linjës se lidhur me komisionet hetimore ajo po respekton interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe se është e gatshme të ulet me opozitën, për të diskutuar mbi objektin e tyre “që të jetë në respekt të Kushtetutës”.

Parlamenti nodhet në momentin e diskutimit e një prej dokumentave më të rëndësishëm siç është buxheti i shtetit. Por puna e komisioneve u reduktua në zhvillimn e mbledhjeve online, ndërsa seanca e djeshme, për miratimin në parim, u mbyll me votimin në kohë rekord, në më pak se 5 minuta.