Një re e dendur tymi ka mbuluar pasditen e sotme periferinë e Elbasanit, duke ngritur shqetësime për ndotjen e ajrit dhe rrezikun e mundshëm për shëndetin e banorëve.

Prej orës 17:00, shtëllunga të mëdha tymi janë ngritur në lartësi dhe janë përhapur në një zonë të gjerë, duke u bërë të dukshme nga disa pjesë të qytetit.

Shqetësimi është më i madh në zonën e Bradasheshit, ku banorët raportojnë për një aromë të rëndë dhe mbytëse, e cila shoqëron përhapjen e tymit.

Dyshimet paraprake lidhen me djegien e gomave të përdorura, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e zjarrit apo vendndodhjen e saktë të vatrës.

Situata ka ngritur pikëpyetje mbi përmasat e ndotjes dhe ndikimin e mundshëm në mjedis, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se çfarë po digjet dhe nga vjen tymi që ka përfshirë zonën.