Ditën e shtunë, Florika Ngucaj u ‘masakrua’ në rrjetet sociale për shkak të një videoje nga një nga një aktivitet në Bibliotekën e Lushnjës, ku ajo recitonte vargjet “Për Enverin, yll e dritë…”, të cilat u komentuan gjerësisht si lavde për diktatorin komunist.

Fragmenti ishte shkëputur nga një video më e gjatë ku Ngucaj, po tregonte një episod nga fëmijëria e saj, për të rrëfyer se si regjimi komunist i detyronte edhe fëmijët e familjeve të persekutuara të recitonin poezi propagandistike.

Florika është vajza e shkrimtarit Neki Ngucaj, familja e të cilit është persekutuar dhe internuar gjatë regjimit komunist.

Ditën e sotme ajo ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku tregoi se në këtë event ishin të pranishëm persona të zgjedhur, familjarë, të ftuar.

Pjesë nga intervista: 

Sidorela: Për çfarë ishte eventi? Kush ishte prezent?

Florika: Ne jemi nga Vlora dhe ishim në Lushnjë për librat e babait. Jemi 4 motra dhe ishim shumë të lumtura për këtë. Çdonjëra nga vajzat do thoshte një kujtim të prekshëm.  Kur isha në shkollën 8-vjeçare vdiq diktatori. Unë isha nxënësja më e mirë. Unë duhej ta recitoja këtë vjershë që të bëja figurë të mirë nëse jo do të persekutoheshim më keq. Ne jemi të persekutuar. Unë theksoj se duhet të tregohet video e plotë, pjesa që është hequr është absurditeti i asaj kohe.

Sidorela: Saimir Korreshi ka thënë që nuk e ka hedhur ai videon dhe nuk akuzon familjen dhe zonjën. Sipas tij, zonja nuk duhej lejuar t’a recitonte dhe nuk duhej të duartrokitej.

Florika: Deputeti është një person publik. Patosi ishte ironik dhe i detyrohej kohës që jetova, ishte ironik, për të treguar si duhej të shtireshe. Nuk ishte një vend publik, ishin njerëz të zgjedhur, familjarë, të ftuar, unë sinqerisht nuk mendoja se do të merrej video dhe të transmetohej e bëhej virale. Deputeti mund të justifikohet si të dojë, por nuk është një person i çfarëdoshëm që e hodhi në rrjet, është deputeti i një partie dhe përfitoi nga kjo gjë.

Sidorela: Pse u duartrokit?

Florika: Se ju më shikoni mua por jo fytyrën e pjesëmarrësve. Nuk ishte për diktatorin apo për mua, por si ishin të lidhura gjërat.

Sidorela: A jeni ju pjesë e një familje që ka qenë e persekutuar?

Florika: Po, nuk na jepej e drejta e jetës dhe studimit. Nuk mendoj se jemi të vetmit, janë gjëra që të ngelin në shpirt. Na është pushkatuar gjyshi nga diktatori dhe babai im ka qenë prezent. Kjo njollë politike na ndoqi gjithë jetën./TCH