Policia vijon punën për gjeten dhe kapjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili u arratis ditën e djeshme nga Spitali i Durrësit.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat bën me dije se uniformat blu janë duke ushtruar kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar tetë persona, zyrtarë të burgut të Durrësit dhe kryeinfermieri.
Rreth orës 13.00 të së martës Altin Ndoci është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
