Ish-deputeti socialist Halit Valteri ka folur me tonë të ashpra ndaj ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallarit pas arratisjet së të burgosurit Altin Ndoci.

Teksa foli në “Breaking” në Top News, Valteri tha se ministri, të cilin e cilësoi me fjalën “llamarinë”, duhet të japë dorëheqjen pasi tregoi se nuk e bën dot detyrën që i është caktuar. Ai hodhi dhe dyshime se postin e ministrit nuk ia caktoi kryeministri Rama, teksa e cilësoi Lamallarin si një nga të besuarit e Belinda Ballukut.

“Rama nuk ka pse jep dorëheqjen por duhet të rregullojë shtëpinë e vet. Duke nisur që nga ministri Llamarinë që e ka merak Bela, siç ka dhe 20 llamarina të tjera. Nuk e ka vendosur Rama ministër Lamallarin. Puna e ministrit është me peshë, nuk mund të lirosh kravatën ti se e more vesh që do bëhesh ministër atje. Si e vendosin ministër pa e ditur nëse e bën këtë punë. Llamarina duhet të kishte dalë të jepte dorëheqjen dhe të thoshte nuk e bëj dot këtë punë. Iu arratis i burgosuri, kush do mbajë përgjegjësi? Si del i burgosuri me duar në xhapa ashtu? Duhet vendosur një standard”– tha ai.