Një i burgosur shqiptar, Edmond Tafa, i cili u arratis në mes të ditës nga burgu i Koridallos në Greqi, vijon të jetë në arrati, ndërsa autoritetet greke kanë intensifikuar kërkimet për lokalizimin e tij.

Sipas mediave greke, i arratisuri kishte përfituar disa herë më parë nga lejet e përkohshme të daljes nga burgu dhe gjatë muajve të fundit kishte marrë tri leje pa shkelur kushtet e përcaktuara. Pikërisht ky fakt ka ngritur pikëpyetje tek hetuesit, të cilët po përpiqen të kuptojnë se përse ai vendosi të arratisej tani.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se brenda kësaj jave shqiptari pritej të përfitonte një tjetër leje disa ditore. Për këtë arsye, autoritetet po hetojnë nëse ka pasur ndonjë zhvillim të papritur që e shtyu të largohej para kohe, në vend që të priste daljen e planifikuar.

Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin e arratisjes. Në pamje, i burgosuri shihet teksa largohet me hapa të shpejtë përgjatë rrugës Grigoriou Lambraki, përpara se të humbë gjurmët në zonën e Nikaias.

Hetuesit nuk kanë arritur ende të përcaktojnë nëse ai u largua në këmbë apo nëse kishte bashkëpunëtorë që e prisnin me një automjet për ta ndihmuar në arratisje. Kërkimet vijojnë në disa zona, ndërsa autoritetet mbeten në alarm për kapjen e tij.