Gjykata e Tiranës liron nga qelia efektivin e policisë Admir Elezi, i arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Gjykata caktoi për oficerin e policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.
Efektivi dyshohet se ka manipuluar provat lidhur me rastin e arrestimit të një shtetasi të cilit iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik i dyshuar si armë e ftohtë.
“Gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale të administrimit të sendit, punonjësi i policisë nuk ka vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës duke ndikuar në tjetërsimin e provave”, bëri me dije AMP gjatë njoftimit publik për rastin disa ditë më parë.
