I ka kaluar SPAK dosja hetimore ndaj Voltan Xhanit, 39-vjeçarit i cili u arrestua disa ditë më parë në Gjirin e Lalëzit, së bashku me Xhevdet Plakun dhe 6 të tjerë.

Xhani ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.

Ai është i dyshuar kryesor për organizimin dhe vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër, ngjarje e ndodhur mesditën e 30 gushtit 2024. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti ditën e arrestimit dhe një armë zjarri pistoletë me fishkë në fole, gati për qitje.