Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë me masën “detyrim paraqitjeje” Ladi Ndojën, bashkëshortin e deputetes demokrate Elda Hoti, dhe Amarildo Jushin, të cilët u arrestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti të ndodhur në Rrëshen.

Sipas policisë, ata i kanë zënë rrugën me makinat e tyre një automjeti ku ndodhej Renuar Kola, drejtor i arsimit në Rrëshen, dhe një person tjetër. Dy të ndaluarit dyshonin se Kola dhe shoqëruesi i tij po merreshin me blerje votash.

Pas kontrollit, në makinat e Ladi Ndojës dhe Amarildo Jushit janë gjetur disa lista me emra personash, të cilat po hetohen nëse kanë lidhje me zgjedhjet. Ndërkohë, në makinën e Kolës nuk u gjet asgjë e paligjshme.

Pas dy ditësh në ndalim, gjykata vendosi që të mos i mbajë më në paraburgim, por t’u kërkojë të paraqiten herë pas here para autoriteteve, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare dhe ka ngritur diskutime për tensionet dhe përplasjet politike në terren.