Një 24-vjeçar shqiptar, Albjon Metlekaj, është dënuar me katër vjet burg nga Gjykata e Cambridge Crown Court më 31 tetor. Kjo pasi u shpall fajtor për posedim me qëllim shpërndarjeje të drogës së klasës A, drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe arratisje nga kujdesi ligjor. Përveç dënimit me burg, atij iu ndalua drejtimi i makinës për tre vite e nëntë muaj.
Sipas policisë së Suffolk, më 5 korrik 2025, oficerët e njësisë Sentinel West Team lokalizuan një Audi A7 të zezë, e dyshuar për shpërndarje droge në zonë. Shoferi, Metlekaj, nuk ndaloi kur iu kërkua nga policia dhe u përfshi në një ndjekje të rrezikshme, gjatë së cilës u përplas me një tjetër automjet dhe rrezikoi jetën e një këmbësori. Ai po drejtonte pa patentë dhe pa sigurim.
Gjatë ndjekjes, policët konstatuan se një çantë ishte hedhur nga makina. Brenda saj u gjetën rreth 250 qese me kokainë, me vlerë tregu rreth 12,500 paund. Analizat forenzike e lidhën drejtpërdrejt Metlekajn me substancat narkotike.
Pas arrestimit, ai u arratis nga spitali ku po merrte trajtim mjekësor, por u kap sërish pas tetë orësh, pas një kërkimi të gjerë në zonë.
Oficeri PC Mike Spurling nga Sentinel West deklaroi:
“Është shumë kënaqësi të shohim që këto substanca të dëmshme janë larguar nga rrugët tona dhe që Metlekaj është arrestuar, ndjekur penalisht dhe dënuar për krimet e tij. Ishte vetëm me fat që askush nuk u lëndua nga drejtimi i tij i rrezikshëm.”
Operacioni u drejtua nga Sentinel West Team, një njësi që bashkëpunon me dy ekipe të tjera për të luftuar aktivitetin e krimit të organizuar dhe për të rritur sigurinë rrugore në Suffolk.
