Gerd Gjinarari, i njohur ndryshe si “Gerd Gjeneralit” dhe i konsideruar si një nga figurat më të spikatura të botës së krimit në Shqipëri, është vënë në pranga nga autoritetet belge. Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane për eliminimin e Naim Zyberit, një tjetër emër i njohur i botës krimit në Tiranë gjatë viteve ’90. Ngjarja e rëndë është regjistruar në vitin 1997 në ambientet e një spitali në Milano, ku Zyberi ndodhej për kurim.
Hetimet zbuluan se Gjinarari, së bashku me Arben Grorin, arritën të futeshin në dhomën e tij duke u shtirur si familjarë të të plagosurit. Ata e kryen ekzekutimin duke përdorur një armë zjarri, të cilën e mbanin të fshehur në një buqetë me lule. Gjykata italiane e dënoi Gjinararin me burgim të përjetshëm për këtë krim, ndërsa në vitin 2014 ai u ekstradua drejt Shqipërisë për të vuajtur këtë dënim.
Në vitin 2019, Gjykata e Korçës vendosi ta lironte atë me kusht, një hap që provokoi debate të shumta dhe reagime të ashpra në publik. Ky vendim u përmbys më vonë nga Gjykata e Apelit, e cila urdhëroi që ai të kthehej në qeli për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit të përjetshëm. Megjithatë, Gjinarari iu shmang ekzekutimit të këtij vendimi dhe u largua, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar. Tashmë, pas prangosjes së tij në Belgjikë, pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij.

