Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Moisi Habilaj, të kërkuar nga SPAK. Habilaj, i akuzuar, për trafik droge, ka kyçur gojën përpara trupi gjykues, duke mos u përgjigjur në asnjë pyetje që iu bë. Habilaj u arrestua disa ditë më parë në Borsh, pasi ishte në kërkim.
Ndaj tij në 26 dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën “arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Në 23 janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme gjeti fajtor Moisi Habilajn dhe e dënoi këtë të fundit me 10 vite burg. Habilaj, në kërkim prej vitesh, është dënuar edhe në shtetin italian me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Moisi Habilaj drejtoi një grup kriminal që merrej me trafik droge mes Shqipërisë dhe Italisë.
