Gjykata e Posaçme miraton masën “arrest në burg” për Renardo Nallbanin, i cili u arrestua dy ditë më parë në Palasë, pas më shumë se dy vitesh në kërkim nga SPAK. Prokurori i çështjes Dritan Prençi kërkoi nga shkalla e parë e gjyqësorit të lihet në fuqi masa e arrestit lëshuar më herët ndaj Nallbanit, pasi ai dyshohet të ketë kryer 3 vepra penale.

Ndonëse avokati i Nallbanit ofroi garanci pasurore në këmbim të një mase më të butë, kjo nuk u mor parasysh nga gjykata. 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Tiranës, fraksion i cili zbriti për gjykim pak javë më parë në Gjykatën e Posaçme. Nallbani është i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.