Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes turke Julide Yazici, 32 vjeç, e arrestuar në Rinas në fillim të muajit gusht. Ajo është dënuar nga drejtësia turke për lidhje me një organizatë terroriste, por pretendon se përndiqet politikisht për shkak të qëndrimeve të saj kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

32-vjeçarja u arrestua më 4 gusht në aeroportin e Rinasit, teksa kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Gjatë kontrolleve në pikën kufitare rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja.

Sipas autoriteteve turke, Yazici është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Stamboll me 4 vite e 2 muaj burgim për veprat penale “Dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Nga ky dënim, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.

Yazici, me profesion mësuese dhe aktiviste në mbështetje të të drejtave të kurdëve, ka jetuar prej vitesh në Francë, ku ka përfituar azil politik. Në vitin 2020, Gjykata Kombëtare e Azilit në Francë i njohu statusin e refugjates politike, duke argumentuar se ajo kishte “një frikë të justifikuar, në kuptim të dispozitave të Konventës së Gjenevës, se do të përndiqet nëse kthehet në vendin e saj për shkak të aktivizmit të saj politik”.

Sipas të afërmve të saj, dënimi në Turqi lidhet me faktin se kishte strehuar për një natë një kundërshtar të qeverisjes së Erdoganit, me kërkesë të një mikeshe. Yazici ka marrë pjesë edhe në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve dhe kundër qeverisë turke. Ajo ka vuajtur disa muaj burg në Turqi, përpara se të largohej drejt Francës.

Gjatë seancave gjyqësore në Shqipëri, 32-vjeçarja ka kundërshtuar arrestimin dhe ekstradimin, duke pretenduar se është viktimë e përndjekjes politike dhe se kthimi në Turqi do t’i rrezikonte jetën.

Në seancën e 7 gushtit, ajo deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke theksuar se kishte udhëtuar edhe më parë drejt Shqipërisë pa pasur probleme.

“Kjo çështje është hapur që para dhjetë vitesh dhe kam tetë vjet që unë jam rezidente në Francë. Nuk kam pasur dijeni për një urdhër arresti, kjo pasi unë kam ardhur edhe para një viti në Shqipëri dhe kam ndenjur dy javë dhe këtë herë unë kam ardhur për pushime”, deklaroi ajo.

Gjykata e Tiranës vendosi fillimisht masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa avokati i saj, Artan Shllaku, kërkoi zëvendësimin e kësaj mase me arrest shtëpie.

Më 21 gusht, Gjykata e Apelit la në fuqi masën “arrest në burg”, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për një masë më të lehtë sigurie.

Dy muaj më vonë, Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin e saj drejt Turqisë, pavarësisht pretendimeve të aktivistes se atje përballet me përndjekje politike dhe se jeta e saj mund të jetë në rrezik.

Vendimi i sotëm nuk është ende i formës së prerë, pasi çështja e ekstradimit mund të kalojë në shkallët e tjera deri në Gjykatën e Lartë.