Gjykata Penale në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici, e arrestuar në Rinas me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.
Sipas raportimeve, prokurori Francesk Ganaj kërkoi që 32-vjeçarja të qëndrojë në qeli, pasi rezulton e shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa kërkesa u pranua edhe nga gjyqtari Kujtim Vraniçi.
Para gjykatës, Yazici ka deklaruar se është “e persekutuar politike”, duke pretenduar se jeta e saj do të ishte në rrezik nëse do të kthehej në Turqi. Ajo tha se kishte marrë pjesë në protesta kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
32-vjeçarja, me profesion mësuese, kërkohet nga autoritetet turke për akuzat e dhënies së ndihmës logjistike për organizatë terroriste dhe pjesëmarrjes në organizatë terroriste. Sipas të dhënave të autoriteteve, ajo është dënuar me 4 vite burg për këto vepra, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj dhe 22 ditë.
Yazici u arrestua në aeroportin e Rinasit gjatë një udhëtimi nga Franca drejt Shqipërisë, pasi verifikimet në pikën kufitare zbuluan se ishte person në kërkim nga Interpol Ankara.
Sipas burimeve të cituara nga gazetarja Hoxha, shtetasja turke kishte qenë studente rreth shtatë vite më parë dhe kishte marrë pjesë në protesta kundër qeverisë së Erdoganit. Për këtë arsye, ajo kishte përfituar edhe azil politik në Francë.
Avokati i saj, Artan Shllaku, ka deklaruar se do të kërkojë lirimin e menjëhershëm të klientes së tij dhe kundërshtimin e ekstradimit, me argumentin se kthimi në Turqi i rrezikon jetën.
