Faruk Fatih Özer, bosi i famshëm turk i kriptomonedhave dhe themelues i platformës “Thodex”, i cili u kap në Shqipëri dhe u ekstradua drejt Turqisë, është gjendur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut.

Mediat turke raportojnë se 28-vjeçari u gjet i varur me çarçaf në derën e banjës së qelisë. Zyra e Prokurorit Publik ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Özer ishte dënuar me 11.196 vite burg pas akuzave për mashtrim masiv ndaj rreth 391 mijë qytetarëve, duke shkaktuar një dëm ekonomik që llogaritet në 2 miliardë dollarë. Gjatë hetimeve, u arrestuan mbi 80 persona, përfshirë vëllezërit e tij dhe punonjës të lartë të kompanisë.

Në seancën e fundit gjyqësore, pjesa më e madhe e të pandehurve u liruan për mungesë provash, ndërsa disa të tjerë morën dënime më të lehta.

Pas arratisjes në prill 2021, Özer qëndroi për muaj në vendin tonë, duke lëvizur mes Elbasanit dhe resorteve luksoze në jug. Ai ndryshoi pamje për të mos u identifikuar, por gjurmët e gishtërinjve në ambjentet e plazhit çuan në kapjen e tij.

Bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të FSHF-së, i dyshuar se ndihmoi arratisjen.

Autoritetet turke pretendojnë se Özer mbante me vete një server me 108 milion dollarë në kriptomonedha, të cilat ende nuk janë gjurmuar plotësisht.

Sipas akuzës, ai ngriti një platformë kripto-investimesh, ku mijëra persona investuan kursimet e tyre. Platforma u mbyll papritur, ndërsa Özer u arratis, duke shkaktuar skandalin më të madh financiar në historinë moderne të Turqisë.