Policia ka arrestuar sot Nevzat Spahon, 29 vjeç, nga Perrenjasi, i cili dyshohet se është i përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla, ngjarje që ndodhi në Elbasan më 30 nëntor.

Sipas autoriteteve, Spaho është akuzuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Spaho ka një histori të gjatë penale, që përfshin akuza të ndryshme, mes të cilave tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim për dhënie pasurie dhe vjedhje. Ai ishte dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Elbasanit, pasi dhunoi dhe kanosi një person me armë për të marrë 3 mijë euro.

Një tjetër ngjarje që ka lidhur 29-vjeçarin me aktet e dhunës ka ndodhur në vitin 2016, kur ai u përfshi në një përleshje me thika, ku dy persona mbetën të plagosur.

Për momentin, grupi hetimor është në procesin e grumbullimit të informacioneve dhe provave, për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes tragjike që mori jetën e Mondi Mëhallës.