Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Ergys Agasi.
Vendimi është marrë pas disa orësh seancë, ku është shqyrtuar kërkesa e SPAK për masën e sigurisë ndaj tij. Seanca nisi në orën 09:30, por u shty përkohësisht pasi mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e dosjes. Procesi vijoi në orën 12:00 dhe përfundoi me vendimin e GJKKO-së për lënien e Agasit në qeli.
Pas përfundimit të seancës, rreth orës 16:24, avokati i tij, Maks Haxhia, doli para mediave, ku foli për ecurinë e procesit dhe qëndrimin e mbrojtjes.
Agasy u arrestua dy ditë më parë në kuadër të një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Forcat e Posaçme Operacionale. Ai u ndalua pas ndjekjes së automjetit me të cilin po udhëtonte, i drejtuar nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku.
Automjeti u pikas fillimisht në Elbasan dhe u ndoq nga autoritetet deri në zonën e Plepa-ve, ku u ndalua në një segment të trafikuar. Gjatë kontrollit, Agasi dhe Shpataraku u gjetën me rreth 4 mijë euro cash.
Sipas hetimeve të SPAK, Agasi dyshohet se, në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar më herët në Francë, ka pasur rol në një grup të strukturuar kriminal që vepronte përmes personave të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Hetuesit dyshojnë se tendera me vlerë miliona euro paracaktoheshin në favor të kompanive të lidhura me Beqirin. Në dosjen hetimore përfshihen gjithashtu dyshime për ushtrim presioni dhe rrëmbim të rivalëve në biznes, me qëllim largimin e tyre nga garat për tendera publikë.
Në kuadër të së njëjtës çështje janë nën hetim edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë dhe biznesmenë të tjerë.
Ndaj Ergys Agasit rëndojnë dyshime për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.
Me vendimin e sotëm, GJKKO e ka lënë Agasin në masën “arrest me burg”, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
