Avokati Ulian Barjami ka reaguar në rrjetet sociale me rastin e Ditës Europiane të Avokatëve, duke kujtuar ndalimin e tij të bujshëm pas një përplasjeje me një prokuror në sallën e gjyqit në Elbasan.

Në reagimin e tij, Barjami thekson se avokatët janë mburoja e qytetarëve ndaj padrejtësive dhe se kjo ditë duhet të shërbejë për reflektim dhe për mbrojtjen e dinjitetit të profesionit të avokatit. Ai shton se përvoja e tij personale si viktimë e një ndalimi të paligjshëm është një kujtesë e fortë se respekti ndaj avokatëve përbën në vetvete respekt për drejtësinë.

Postimi i Ulian Barjamit:

Sot, në Ditën Europiane të Avokatëve, ndjej më shumë se kurrë peshën dhe përgjegjësinë që mbart ky profesion fisnik. Ngjarja e fundit, ku u gjenda viktimë e një ndalimi të paligjshëm, nuk ishte vetëm një përvojë personale, ishte një kujtesë e fortë se respekti për avokatin është respekt për drejtësinë.

Kjo ditë na kujton se avokatët janë mburoja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie. Çdo cenim ndaj tyre është cenim ndaj vetë themeleve të shtetit të së drejtës. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për të reflektuar, për t’u bashkuar dhe për të mbrojtur dinjitetin e profesionit tonë. Sepse drejtësia nuk ekziston pa avokatin, dhe avokati nuk mund të ekzistojë pa respektin që i detyrohemi si shoqëri.