Disa persona u arrestuan mbrëmjen e kaluar gjatë protestës së opozitës, ku mes të arrestuarve rezulton edhe një shtetas nga Kosova. Në dëshminë e tij në komisariat, qytetari nga Kosova ka deklaruar se ndodhej rastësisht në shesh. Ai thotë se në Shqipëri ka ardhur si turistë për disa ditë dhe rastësisht ndodhej në shesh.
Gjatë dëshmisë së tij, ai shprehet se babai i tij ka qenë ish-ushtarak i UÇK dhe ka pasur raporte të mira dhe respekt për Kryedemokratin Sali Berisha dhe është futur mes turmës për të bërë disa foto, që t’ia niste babait të tij. Ai thekson se nuk ka ushtruar vepra dhune, nuk kam goditur njeri apo të ketë dëmtuar ndonjë person që ka qenë në protestë dhe aq më pak punonjësit e policisë.
Dëshmia e qytetarit:
Pyetjen e kuptova dhe dua të sqaroj se, unë kam ardhur në Shqipëri si turist për të qëndruar disa ditë, dhe sot me datë 22.12.2025 rreth orës 20.00 kam qenë duke dalë xhiro nëpër Tiranë dhe rastësisht ndodhem pranë protestës të organizuar nga Partia Demokratike.
Sqaroj se babai im ka qenë ish-ushtarak i UÇK dhe i cili ka pasur raporte të mira dhe respekti për Kryetarin e Partisë demokratike z. Sali Berisha, edhe unë gjithashtu e simpatizoj shumë këtë figurë politike të Shqipërisë dhe jam futur në mes të turmës për të shkuar dhe për të bërë disa foto me Z. Sali Berisha dhe të filmoja fjalimin e zotit Berisha për t’ja nisur babës me Wetsap, pasi baba im e simpatizon shumë Z. Berisha.
Dua të sqaroj gjithashtu se unë nuk kam ushtruar vepra dhune, nuk kam goditur njeri apo të kem dëmtuar ndonjë person që ka qenë aty në protestë dhe aq më pak punonjësit e policisë. Në lidhje me sqarime të mëtejshme do t’i jap në një moment të dytë proceduriale. Dua të vë në dijeni se vuaj nga probleme në shtyllën kurrizore, para disa kohësh kam bërë aksidente dhe aktualisht jam duke përdorur ilaçe.



