Të tjera detaje dalin lidhur me arsenalin e armëve që u gjetën brenda një furgoni, që kishte prej një muaji në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Fillimisht ka ndërhyrë Policia Rrugore, si pjesë e një manovre të agjentëve, me argumentin se automjeti kishte bllokuar rrugën.
Pas konstatimit të armëve, ndërhyrja është vijuar nga agjentët e krimeve. Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, që dyshohet se ishte përdorur si kamuflim nga trafikantët, është në pronësi të të arrestuarit Eugert Sino.
Ky i fundit, i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia, ka mohuar çdo lidhje me armët, duke deklaruar se nuk ka dijeni se kush i ka vendosur ato në furgon, i cili, sipas tij, ka qëndruar i parkuar pranë banesës së tij.
Armët e kapura ishin të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Ata dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale dhe i përkisnin një grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Pranë vendit ku ishte furgoni me arsenalin, policia zbuloi edhe bazën kryesore të grupit kriminal, ku mbaheshin armët. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
