Policia e Fierit vuri në pranga një 57-vjeçar të kapur duke qarkulluar i armatosur në fshatin Sulaj. I ndaluari është identifikuar si Petrit Mernica, babai i Azgan Mernicës, autorit të vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, ngjarje e ndodhur më 13 maj 2024 në Baltëz.

Burime të policisë konfirmojnë se Petrit Mernica ka precedentë penalë. Ai ka qenë më herët i dënuar me 20 vite burg, për vrasjen e kunatit të tij.

Operacioni i djeshëm u zhvillua pas dyshimeve se 57-vjeçari lëvizte me armë zjarri. Gjatë kontrollit, policia raportoi se i gjeti armë dhe municion, duke e arrestuar menjëherë dhe duke sekuestruar provat.

Ngjarja sjell sërish në vëmendje krimin e rëndë të vitit 2024, kur Azgan Mernica, pas një debati me efektivin e policisë i cili i kërkoi të respektonte rregullat e qarkullimit, hapi zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur. Sipas dosjes hetimore, sherri nisi për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën po drejtonte automjetin.

Për 57-vjeçarin, pritet të caktohen masat e sigurisë nga Gjykata e Fierit.