Një furgon i mbushur me arsenal armësh është zbuluar në Tiranë ditën e djeshme, ndërsa arrestimi i Eugert Sinos ka zbardhur lidhjet e tij me një grup kriminal të kërkuar nga SPAK.

Sino dyshohet të ketë lidhje me Aurel Hoxhën, një personazh i njohur për trafik droge dhe pastrim parash, i cili është nën hetim për vrasje dhe veprime të tjera kriminale.

Sipas burimeve të Report Tv, Eugert Sino është pjesë e grupit të Aurel Hoxhës dhe ka pasur një lidhje të ngushtë me të, duke punuar si banakier në lokalin “Monopol” në Tiranë, i cili është sekuestruar së fundmi nga SPAK.

Hoxha, një nga figurat kryesore të botës së krimit, akuzohet gjithashtu për porositjen e vrasjes së Klevis Lleshit, një nga pesë viktimat e fisit Lleshi, pas një konflikti që ka nisur në vitin 2012 me vrasjen e vëllait të tij në Angli. Bëhet me dije se në polici ai ka dëshmuar që nuk e dinte kush i ka vendosur armët në furgon.

Hetimet janë ende në vijim dhe SPAK ka sekuestruar një pasuri të konsiderueshme, përfshirë 5 milionë euro nga Hoxha.