Vetëm dy muaj pas shkarkimit nga detyra, ish-drejtoresha e Spitalit të Peshkopisë, Irini Shehu, është arrestuar nga policia e Dibrës, nën akuzën e përndjekjes dhe kërcënimeve ndaj stafit të spitalit. Sot, Gjykata e Dibrës caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas policisë, Shehu ka përndjekur dhe kërcënuar drejtorin aktual të spitalit, Rruzhdi Deda, si dhe punonjës të tjerë, pas shkarkimit të saj nga detyra. Ajo ishte larguar nga posti pasi goditi me mjete metalike shefin e Financës, Shaban Uklala, një incident që u pasua me ndalim të përkohshëm nga detyra si mjeke.
Megjithatë, këtë të mërkurë, 44-vjeçarja theu vendimin e gjykatës duke hyrë në ambientet e Spitalit Rajonal të Peshkopisë, ku zhvilloi një debat të tensionuar me punonjësit. Ata njoftuan menjëherë policinë, e cila ndërhyri dhe e arrestoi në vendngjarje.
Më herët, Shehu ishte nën hetim në gjendje të lirë, ndërkohë që ndaj saj ishin ngritur edhe denoncime për fyerje dhe kërcënime përmes telefonatave dhe mesazheve. Autoritetet kanë nisur hetime të mëtejshme mbi rastin.
