Mjeku specialist i ekografisë, Gëzim Taullaj, i cili u arrestua për marrje rryshfeti në spitalin e Fierit, nuk është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit.
Sipas burimeve, arsyeja e mosparaqitjes së 66-vjeçarit ka qenë një gjendje e tij mjekësore. Përfaqësuesi ligjor i mjekut, avokati Xhevair Morina, ka paraqitur një kërkesë për shtyrje të seancës.
Taullaj, i cili u arrestua në flagrancë gjatë një operacioni të policisë, akuzohet se ka kërkuar dhe marrë para nga pacientët për të kryer ekografi abdominale. Ai është kapur duke marrë një shumë parash nga një pacient, gjatë orarit zyrtar të punës në spital, ndërkohë që vizitonte dhe pacientë në dy klinika private në qytetin e Fierit.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij, policia ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, përfshirë 1.857.000 lekë, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë.
Mjeku i arrestuar përballet me akuza për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
