Detaje të reja kanë dalë në dritë pas arrestimit të dy shqiptarëve në Athinë, të dyshuar për përfshirje në plagosjen e një shtetasi pakistanez dhe në një ndjekje spektakolare me policinë greke.

Të arrestuarit janë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, nga fshati Gjashtë i Sarandës dhe Andi Beqiri, 27 vjeç, nga Konispoli. Bashkë me ta në pranga ra edhe një shtetas grek 30-vjeçar, i konsideruar nga autoritetet si autori kryesor i sulmit ndaj pakistanezit. Ndërkohë, një person i katërt, që dyshohet të jetë shqiptar, është shpallur në kërkim.

Hetimet kanë zbuluar se Beqiri ka qenë më parë në vëmendjen e policisë greke. Në vitin 2022 ai u arrestua në zonën e Haidarit, ku gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte u sekuestruan dy armë automatike kallashnikov dhe një sasi municionesh.

Sipas mediave greke, në të njëjtin operacion ishte arrestuar edhe Viktor Cala, një person i kërkuar për ngjarje të rënda kriminale, ndërsa hetimet e asaj kohe kishin çuar edhe te emri i Klod Cara alias Klodian Lekocaj, i burgosur në Greqi dhe i dyshuar si porositës i disa krimeve të rënda.

Sa i përket plagosjes së pakistanezit në zonën e Patisias, autoritetet greke dyshojnë se ngjarja lidhet me larje hesapesh. Sipas hetimeve, autori grek dhe një prej shqiptarëve kanë hyrë të maskuar në biznesin e viktimës, ku ka ndodhur sulmi.

Pas ngjarjes, të dyshuarit u larguan me një automjet tip BMW, por gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë u përfshinë në disa përplasje me mjete të tjera. Ndjekja përfundoi me arrestimin e tre personave, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.